PDI: “Bollano të shprehet edhe për Çamërinë”


Muhedini: “Minoriteti dhe Çamëria, baza e miqësisë mes dy vendeve”


Pas më shumë se 4 ditësh, Partia Demokratike për Integrim ka dalë dje me një reagim zyrtar ndaj deklarimeve të kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, përsa i përket Vorio Epirit. Kreu i kësaj partie, që është në fakt mbrojtësja e parë politike e të drejtave të popullsisë çame, Tahir Muhedini, ka deklaruar dje se pretendimi i artikuluar nga kryebashkiaku i Himarës është absurd dhe për këtë ka sjellë si shembull ilustrues rastin e popullsisë çame. “Partia për Drejtësi dhe Integrim dëshiron të theksojë se deklaratat e Vasil Bollanos për autonomi të pakicës greke në Shqipëri nuk janë shashka të lëshuara në mënyrë të pandërgjegjshme, por një provë për të matur pulsin dhe ngatërruar me bizantizëm situatën shumë domethënëse dhe historike në Ballkanin tonë Perëndimor. PDI dëshiron t’i kërkojë publikisht z. Bollano, në cilësinë e kryebashkiakut të qytetit të Himarës në Republikën e Shqipërisë, se çfarë mendon ai për të drejtat e mohuara padrejtësisht të popullsisë çame dhe për masakrat e kryera ndaj tyre në vitet 1944 - 1945?”-është shprehur Muhedini. Në një paralele të hequr lidhur me këtë çështje, Muhedini ka rikujtuar se qëndrimet e Bollanos vijnë e shfaqen si prirje nacionaliste dhe të tepruara edhe në raport me kërkesat e çamëve, të cilët edhe pse me një ngarkesë historike të rëndë, i kanë shtrirë ato në një raport koheziv me standardet ndërkombëtare. “Partia për Drejtësi dhe Integrim dëshiron t’i kujtojë edhe njëherë z. Bollano, por edhe opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar, se çamët nuk kërkojnë autonomi në Greqi, por vetëm standarde europiane të të drejtave themelore të njeriut: të drejtën e kthimit në territoret e tyre, respektimin e të drejtës së pronësisë, të drejtës së shtetësisë, të drejtës së gjuhës dhe të bindjeve të lira. PDI deklaron se e sheh pakicën greke në Shqipëri dhe të drejtat e çamëve në Greqi si dy bazat e pashmangshme të një miqësie të sinqertë midis dy vendeve fqinje dhe se mohimi apo injorimi i njërës prej tyre, pa dyshim, përbën një handikap të pashmangshëm”, - deklaroi Muhedini.

 

top ^