Botim periodik i Shoqërisë "Çamëria", viti 15-të i botimit. Nr.171. GUSHT 2007 Çështja Çame shtrohet në Prishtinë
Çështja Çame, ajo që ka ndodhur, dhe ajo që do të ndodhë më pas, ka ngjallur interesin e studiuesve të mbledhur në Prishtinë. Një vend i veçantë i është lënë kësaj teme në Seminarin e 26-të Ndërkombëtar për Kulturën, Historinë, Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe, që u mbajt këto ditë në Univeristetin e Prishtinës. Albanologë, historianë, studiues të huaj të kulturës shqiptare, por edhe studentë, janë mbledhur të shkëmbejnë tezat. I njohur për nivelet e larta shkencore të debatit, në këto diskutime është përfshirë edhe çështja çame. Një referat i gjatë, i mbajtur nga historiani Beqir Meta, ka ngjallur diskutimin edhe mes studiuesve të huaj të pranishëm në seminar. Përveç një rrugëtimi historik, studimi më i ri për të cilin Meta ka referuar është përqëndruar në prespektivën e zgidhjes së çështjes. Në këtë pikë, ai e sheh të hapur rrugën për zgjidhjen e tij. “Fillimisht paraqita një panoramë të çështjes çame, duke e parë në konteksin e mardhënieve shqiptaro-greke në përgjithësi. Ndërsa synimi ishte të paraqisja rezultat më të fundit të kërkimeve të mia për problemin çam, vështruar në kuadrin e konjukturës së sotme të mardhënieve ndërkombëtare duke u fokusuar kryesisht te aspekti se çfarë parashtron legjislacioni aktual i minoriteteve i Bashkimit Europian. Çfarë hapësirash krijon për zgjidhjen e problemin çam. Ishte një analizë e re që më është dahur kohë për ta realizuar”, - shprehet Meta. E parë në këndvështrimin histrorik, tema e debatuar ka bërë një paraqitje të problemit që në zanafillat e tij, momentet historike, si evoluoi, e duke mbërritur në momentin e spastrimit etnik. Në pozicionin e historianit Meta ka bërë edhe një analizë të faktorëve ndërkombëtarë, qëndrimin e palëve të treta në këtë problem, qëndrimi i qeverisë dhe institucioneve shqiptare. Referimi është pasuar me shkëmbime tezash dhe pyetje, ku studiuesit e huaj ishin ata më të interesuarit. “Pyetjet e tyre drejtoheshin kryesisht në çështjet e tipit të identitetit historik të çamëve. Pata mundësi t`u jap një informacion më të qartë, duke përshkruar gjithë gjendjen e Ballkanit në periudhën e fundit të sundimit osman, ku edhe sot ka një sërë keqkuptimesh e ku spekulon akoma historiografia greke. Pas debateve arritëm në përfundime të përbashkëta se identiteti shqiptar ka ekzistuar. Jo në trajtën e sotme, por në parametra themelore, i paplotësuar, për shkak se nuk ekzistonte shteti kombëtar”, - thekson Meta. PERSPEKTIVAT Për shumë kohë, edhe për vet popullin shqiptar çështja e çamëve ishte e panjohur. Sot është një çështje delikate, së cilës nuk i dihet e nesërmja. Pikërisht në këtë dilemë, historiani Beqir Meta parashtron tezat e tij. “Duke studiuar normat, standartet dhe shumë dokumente të tjera ndërkombëtare, konkludohet që interesi europian për të drejtat e njeriut, në këtë kuadër, një kapitull të rëndësishëm përbëjnë të drejtat e minoriteteve, sa vijnë e rriten dhe bëhen më kërkuese për zbatimin e tyre. Kjo është perspektiva kryesore që çel mundësi të mëdha për pajtimin e cështjes çame në bazë të standarteve europiane. Duke studiuar konventën europiane për minoritetet, nga më të përparuarat sot, tendenca është për të avancuar në mbrojtje të identiteteve të kërcënuara. Ka mundësi të mëdha që problemi çam të trajtohet në këtë konteks. Shoh hapësira të mëdha për zgjidhjen. Ndër faktorët që janë kundër dhe që e favorizojnë, të dytët janë më të fuqishëm”, - shprehet Meta. Për të, e rëndësishme është që problemi ka filluar të përhapet edhe në arenën ndërkombëtare. Duke e parë integrimin europian si një bashkim vlerash që në themel ka lirinë dhe të drejtat e njeriut, për Metën rruga e zgjidhjes është e hapur. “Njohja e pronësisë së tyre , e drejtë e pakontestueshme dhe pranimi i shtetësisë së tyre dhe që në ligjet ndërkombëtare qeveria greke duhet ta rinjohë, janë dy pikat kryesore”,- thekson ai. Por për të, armiku më i madh që duhet mundur është nacionalizmi ekstrem. SEMINARI Prej disa ditësh, në Prishtinë u mbajt Seminari i 26-të Ndërkombëtar për Kulturën, Historinë, Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe. Në të morën pjesë studiues të huaj të niveleve të larta akademike dhe një grup studentësh që kanë filluar të specializohen për kulturën dhe historinë shqiptare. Studiuesit vijnë nga Rusia, nga Japonia, Serbia dhe shumë vende të tjera të Ballkanit. Me një traditë disavjeçare, ky simpozium operon me sesione të tilla, si shkencat gjuhësore, politike, historike etj.
|
||
|
|
|
|
|
|
||
|
|
||