Politika sistematike Greke dhe Shqipëria

nga Tahir Muhedini, Kryetar i PDI

Së fundmi, në vëmendjen e opinionit publik shqiptar doli lajmi se Qeveria Greke kish menduar mirëfilli për të rënët e luftës Italo - Greke (28 tetor 1940 6 Prill 1941) të zhvilluar në territore Shqiptare.
Ky lajm, ndonëse erdhi si rrufe në ditë me diell për Shqiptarët, tregoi qartë se politika Greke është sistematike në protokollet dhe politikat e saj të pandryshuara.

Shqiptarët, fare papritmas morrën vesh se një varr gjigant për ushtarët Grek të rënë në luftën e sipërpërmendur, tashmë ishte ndërtuar në Këlcyrë. Më vonë, ata mësuan se eshtrat e ushtarëve të rënë nuk ishin gjetur akoma. Ndërkohë mendohet të ndërtohen edhe varre të tjerë me të njëjtin qëllim dhe në tokë Shqiptare, ndonëse kjo e fundit është e lidhur me ngjarjen historike vetëm sepse ka qenë e pushtuar nga Italia fashiste!
Penat profesionale dhe të vëmendshme të gazetarëve Shqiptarë i kujtuan opinionit publik se z. Karolious Papolious, Presidenti Aktual i Greqisë, gjatë vitit 1985, kohë kur ishte Ministër i Jashtëm plotësues i Greqisë, kish vizituar Këlcyrën dhe kish vënë kurora me lule në varret e dëshmorëve të vendit të tij.

Kjo periudhë përkon me rihapjen e politikës Greke ndaj Tiranës komuniste dhe penat e vëmendshme thonë se gjatë vitit 1985, kohë kur regjimi i Enver Hoxhës ishte shprehur i gatshëm të bashkëpunonte me Greqinë për lëvizjen e eshtrave të ushtarëve Greke për në Atdheun e tyre, Papolious u ishte përgjigjur se një gjë e tillë nuk nevojitet: “Ata janë në vendin e tyre dhe nuk ka pse ti lëvizim” (shënim: sipas mediave)   
Di të them se, nëse z. Karolious Papoliuos, është përgjigjur me këtë mënyrë në atë kohë, sepse e konsideronte këtë territor Shqiptar si të Epirit të Veriut apo jo, askush nuk di të thotë sot, por tekstet Greke të historisë kështu e konsiderojnë edhe në ditët e sotme!
Z. Papolious në cilësinë e Presidentit të Greqisë vitin e kaluar anulloi një takim pune me Presidentin e Shqipërisë z. Alfered Moisiu në Sarandë, vetëm e vetëm, pse kish lejuar një grup Çamësh ti uronin mirëseardhjen në mënyrë demokratike Presidentit të shtetit të tyre të origjinës.    
Në fakt, Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, z. Evangelos Meimarakis, i pakënaqur me një situatë të tillë të papërfunduar në lidhje me varret e të rënëve, ka anualluar një vizitë të tij në Shqipëri.
Por, Fortlumturia e Tij, Anastasios Janullatos, sigurisht jo me cilësinë e Kreut të Kishës Autoqefale Shqiptare, në mënyrë pothuaj plotësisht private, drejtoi ceremoninë e mbajtur për këtë rast!
           
Përgjegjësitë politike dhe emancipimi i PDI-së

Ndërsa, së bashku me Kryesinë e Partisë për Drejtësi dhe Integrim (PDI), po hartonim deklaratën për shtyp në raport me veprimin politik të shtetit Shqiptar, por edhe atij Grek, për të rënët Grek të luftës Italo – Greke në territore Shqiptare, jo pa vështirësi vendosëm ti jepnim orientim emancipues dhe europian asaj.
Anëtarë të ndryshëm të Kryesisë së PDI-së besonin se Ministri Grek i Mbrojtjes Meimarakis mund ta ketë shtyrë vizitën e tij në Shqipëri për datën 28 Tetor 2006 ,e cila në fakt është dita e festës Kombëtare të Greqisë, e njohur masivisht si dita e “Jo”-së Greke ndaj ultimatumit Italian të dorëzimit para pushtimit.

Ata, anëtarët e Kryesisë së PDI-së, duke nënvizuar faktin se kjo ngjarje dhe të rënët e luftës kanë të bëjnë vetëm tangencialisht me Shqipërinë dhe Shqiptarët, sygjeruan që vendimi i Kryesisë të shoqërohej me një “Jo” tjetër për varrezat e të rënëve Grek të luftës.
Në fakt, shumë prej tyre, por dhe unë personalisht kemi varret e të parëve tanë në Çamëri (pjesa në Greqi) dhe kemi dekada pa i vizituar dhe vënë një buqetë me lule në shenjë respekti ndaj tyre.

Ata, të parët tanë, kanë rënë dëshmorë të lirisë së mirëfilltë të bindjeve dhe besimit të tyre dhe janë vrarë në mënyrë gjakatare ndonëse të pafajshëm.
Megjithatë, në fund, Kryesia e PDI-së pas debatesh edhe të ashpra, konkludoi që Partia duhet ti thotë “Po” varrezave të të rënëve Grek, por duke i kërkuar, si Shtetit Grek dhe atij Shqiptar, të bëjnë të pamundurën për të arritur në nivelin e emacipimit të këtij vendimi tonë politik.
Kryesia e PDI-së gjykoi dhe vendosi që të mos shohim nga e shkuara me arsyetim të errësuar, por të vështrojmë të ardhmen në mënyrë Europiane.
Vetëm kështu mund të bëjmë të tjerët të kuptojnë se Çamëve duhet tu jepet domosdoshmërisht mundësia e kthimit në territoret dhe shtëpitë e tyre dhe sigurisht rifitimit të shtetësisë Greke të cilën kur nuk e kemi mohuar.
Unë, personalisht, nuk di nëse kultura Shqiptare e amanetit qëndron edhe në kulturën Greke, por një mënyrë për t`ja bërë me dije atyre nevojitet. Ne e kemi AMANET Çamërinë (kujtimet, shtëpitë, tokat, shtetësinë) nga të parët tanë dhe amanetin nuk e tret as dheu.  

Por a duhet mësuar nga politika e Greke?

Ndërsa po mundohesha ti shpjegoja një dashamirësi Belg të Parlamentit Europian rastin e të drejtave të Çamëve në raport me Greqinë por edhe Shqipërinë, i pari informacion që më dha ai ishte: përfaqësuesit Grek në Institucionet Europiane e fillojnë punën ditë të Hëne në mëngjes dhe e lenë ditë të Diele në darkë.
Pra, e thënë në fjala të varfëra, nuk e ndërpresin fare dhe, përsa jam unë i informuar, kjo nuk ka të bëjë aspak me atë që bëjnë institucionet e shtetit Shqiptarë pranë këtyre Organizmave.
Edhe Dispora jonë besoj se nuk është aq kompakte sa është ajo Greke në vendet përkatëse.
Por, ne Shqiptarët në shumicën tonë absolute duam të jemi pjesë integrale e Europës politike, ekonomike dhe kulturore, ku në fakt Greqia për arsye fati historik bën pjesë dhe është përfituese fuqiplotë.
E para gjë që duhet bërë në këtë rast, në opinionin tim personal, është të mësojmë nga fqinjët tanë. Rasti i tyre ndonëse nuk përputhet me interesat tona, duhet domosdoshmërisht të kthehet në një leksion të mirëfilltë.
Jo rastësisht solla në vëmendje të publikut faktin që z. Karolous Papolious është marrë me faktin e të rënëve në luftë, të tokave shqiptare që rreth 30 vite më parë. Sot, atë e shohim protagonist të realizimit të një projekti të mbjellur me shumë kujdes në dekada më parë.
Fqinjët tanë Grekë punojnë shumë dhe sistematikisht për interesat e tyre dhe kjo gjë, padyshim duhet të ketë bërë që çdo shtetas apo kombas grek me shtetësi të tjera, të ndjehet patriot me vendin e tij të orgjinës apo lindjes.
Në rast se kjo gjë do të bëhet moto jona gjithashtu, gjithësecilit nga ne, edhe shqiptarët kudo që të ndodhen do të ndjehen më shumë vetëvetja dhe patriotë racionalë.
Unë besoj se vetëm me patriotizëm emocional nuk arrihet askërkund.

 

top ^