
Flet për gazetën Illyria, Prof. Dr. Selman Sheme
Komuniteti çam kërkon riatdhesim në Çamëri dhe të gjitha të drejtat që gëzojnë qytetarët grekë.
Nga Dalip Greca
Këto ditë ndodhet për vizitë në Nju Jork prof. Dr. Selman Sheme, i cili ishte për një vizitë edhe në redaksinë e gazetës shqiptaro-amerikane Illyria.
Selman Sheme, ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës,në Fakultetin e Historisë dhe Gjeografisë. Nga viti 1968 deri në tetor 1997 ka qenë pedagog pranë departamentit të gjeografisë në Universitetin e Shkodrës”Luigj Gurakuqi”. Nga viti
1997 e në vazhdim është pedagog në departamentin e Gjeografisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1987 fitoi gradën shkencore”Doktor i shkencave”.
Ka kryer kulifikim pasuniversitar në Trieste-Itali. Në vitin 1995 ka fituar titullin”Profesor i asociuar”. Ka një veprimtari të gjërë pedagogjike dhe shkencore. Eshtë autor e bashkautor i disa teksteve para universitare dhe universitare. Ka botuar një varg artikujsh shkencor në revistat “Studime gjeogarfike”, “Studime Albanologjike”, “Ekonomia dhe Tranzicioni”,”Revista pedagogjike” etj.
Monografia”Çamëria, vendi, popullsia dhe jeta ekonomike” është vepër serioze dhe unikale në llojin e vet.
Prof. Skënder Sheme ka botuar:
Tekste mësimore universitare:
- Gjeografia ekonomike e përgjithshme, 1983
- Gjeografia-1988
- Gjeografia ekonomike e shteteve-1990
- Tekste mësimore për shkollat tetëvjeçare dhe të mesme:
- Gjeografia ekonomike e shteteve- 1977
- Gjeografia e kontinenteve(7)-1991
- Gjeografia rajonale e Botës(7)-2002
Monografi
- Kelmendi-Vështrim gjeografik e turistik(1998)
- Çamëria, vendi, popullsia dhe jeta ekonomike-2005
- Nga viti 1997 -2005 ai ka mbajtur ligjërata në universitetin e Tetovës
- Tashmë ka bërë gati dhe prêt sponsorizim për të botuar një album të ilustruar
historiko-gjeografik“Monumente natyrore të Çamërisë”…
- Në vitin 2002-2003 Prof. Skënder Sheme ishte kryetar i Shoqatës Politike Atdhetare Çamëria. Është iniciator i krijimit të Institutit të Studimeve për Çamërinë, për dy vjet ishte drejtor i tij. Ky Institut ka organizuar dy konferenca shkencore me pjesmarrjen e
shumë studiuesve dhe rretheve akademike, publicistë, politikanë etj.
Në intervistën që Prof. Sheme i dha Illyria-s, solli të dhëna interesante rreth problemit çam, zbulon plagën e kësaj krahine shqiptare, genocidin e ushtruar, spastrimin etnik që ka nis shumë herët, flet për shtrirjen gjeografike si dhe rrugët e format që po ndjek komuniteti çam për t’u rikthyer në vatrat e të parëve, për të realizuar kthimin fizik të pronave si dhe kompensimin për shfrytëzimin 62 vjeçar. Le të ndjekim intervistën:
-Prof. Sheme çfarë ju lidh ju me çështjen Çame?
- Jam pjesë e komunitetit çam. Unë kam lindur në Lushnje, por me origjinë jam nga Filati i Çamërisë. Ashtu si dhjetëra e mijëra shqiptarë që iu nënshtruan genocidit të bandave të Napolon Zervas, edhe familja ime u shpërngul dhunshëm nga trojet e veta, duke lënë pas shtëpi e pasuri, dhimbje dhe lot. Që në vitin 1944 familja ime u vendos në qytetin e Lushnjës.
- Për 50 vjet çështja Çame u “konservua” nga regjimi i Enver Hoxhës, cili është komenti juaj?
- Është e vërtetë që regjimi komunist i pranoi çamët, por heshtja ndaj kësaj çështje, e kompromenton atë. As në tekstet mësimore, as në programet shkollore, nuk përmendej Çamëria. As historia e Shqipërisë, as Historia dhe Letërsia e Shqipërisë nuk kishin vend për Çamërinë.Për mua dhe besoj për shumë çamë, periudha 1945-1990 e ka konsideruar çështjen Çame një dosje të mbyllur. Braktisja e të drejtave të çamëve arrin pikën kulmore, kur më 1953 shteti shqiptar, me një Vendim të atëhershëm të Presidiumit të Kuvendit Popullor, pa marrë mendimin individual, çamëve kolektivisht, iu dha shtetsia shqiptare duke ia hequr atë greke. Në kushtet
e sotme ky veprim i athershëm e komplikon shumë zgjidhjen e problemit në drejtim të riatdhesimit dhe të dy shtetsisë. Dhe ky komunitet nuk është pak, por numëron më shumë se 250 mijë qytetarë.
- Ndryshimi i sistemit krijoi hapësira të reja për komunitetin çam, çfarë rrugësh dhe mjetesh janë përdorur për ta bërë të njohur çështjen Çame?
- Në kushtet e reja të demokracisë komuniteti çam, I ndërgjegjësuar për luftën që duhej bërë për zgjidhjen e këtj problemi historik, filloi organizimin. Kështu që në janar të vitit 1991, u krijua Shoqata Atdhetare-Politike ”Çamëria”, e cila në mënyrë
sistematike lufton për të sensibilizuar opinionin kombëtar dhe mbarëkombëtar rreth çështjes Çame. Deri tani diçka është bërë.
- Problemi çam i ka rrënjët më herët se fundi i Luftës së Dytë Botërore. Kur dhe si ka lindur çështja çame?
- Ky problem i ka rrënjët herët. Në shekulline XIX, me krizën Lindore, pas Luftës Ruso-Turke 1876, u bë prezent çështja tokësore e hapësirës shqiptare në Ballkan. Përmendim faktin se në atë periudhë vetëm Greqia, e kishte fituar pavarësinë që më 1828 përmes Revolucionit të saj, ku u dalluan shumë shqiptarë si luftëtarë e udhëheqës. Në vitin 1844 në kohën që u shpall Naçertanja sllave, u shpall dhe platforma nacionaliste greke Megalo Idea e iniciuar nga kryeministri i atëhershëm, Jorgos Thoritis.
- Ç’farë përfaqësonte në veteve Megalo Idea që në lindjen e saj?
- Megalo Idea nuk është gjë tjetër veçse platforma ideologjike e krahut të djathtë nacionalist dhe të Kishës Greke, për shtrirjen e hapësirës greke në kufijtë e Perandorisë bizantine. Kombi grek sipas kësaj platforme konsiderohej komb homogjen. Sipas idhtarëve të kësaj platforme qëndra e helenizmit nuk është Athina por Kostandinopoli.Pjesë e kësaj platforme është edhe lufta për aneksimin e Shqipërisë Jugore.
- Cilat kanë qenë zhvillimet,arritjet dhe dështimet e kësaj platforme?
- Materializimi i kësaj platforme filloi të zbatohej hap pas hapi, veçanërisht pas Kongresit të Berlinit dhe në fillimet e saj ka arritur që të rrëmbejë shumë
toka shqiptare.
- Cili ka qenë hapi i parë drejt okupimit të tokave shqiptare?
- Hapi i parë që është hedhur në drejtim të pushtimit të tokave shqiptare në regjionin e Çamërisë ishte aneksimi i Artës, që u realizua më 1880.Paralelisht ka vazhduar dhe platforma për spastrim etnik, dëbimin e popullsisë shqiptare nga Arta në drejtim të Prevezës, Pargës dhe qyteteve të tjera.
- Kur fitojë emergjencë çështja Çame?
- Plaga çame filloi të dhimbte fort në Konferencën e Londrës,më 1913, kur Fuqitë e Mëdha, për të kënaqur lakmitë e shteteve nacionliste të Ballkanit, prapa të cilave fshiheshin interesat e tyre strategjike, sakrifikuan Shqipërinë duke prerë pa mëshirë pjesë të territorit të saj.
- Deri në atë moment, cila ishte Shqipëria natyrale?
- Sipas botimit të fundit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, sipërfaqja e Shqipërisë Etnike është 76 mijë Kilomter Katror; nga të cilat 56 mijë janë sipërfaqe të hapësirës shqiptare të trungut etnik, ku shumica e popullsisë që banonte në to ka qenë
shqiptare dhe 20 mijë është hapësira periferike, ku përveç elementit shqiptar bashkëjetonin edhe elementë sllavë,grekë, bullgarë, turk, arumunë,etj.
- Ç’ndodhi me trojet shqiptare?
- Më 1913, krahas shkëputjes së Kosovës, trevave shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi, u shkëput edhe Çamëria.
- A mund të bëni një përshkrim gjeografik të Çamërisë, në cilën hapësirë gjeografike shtrihet ajo?
- Çamëria shtrihet nga lumi Pavllo, jugu i Liqenit të Butrintit,deri në gjirin e Prevezës apo gjirin e Artës. Shtrihet në një sipërfaqe prej 2500 Kilometër Katror.Përveç regjionit të Çamërisë mbetën jasht kufijëve, të shtetit shqiptar edhe territore në Jug të
Gramozit, që ishin po ashtu rreth 2500 kilometër katror, përfshi rrethet e Janinës, Konicës, Follorinës, Kosturit, Grebenesë. Pra trevat shqiptare që kanë mbetur jasht kufijëve të shtetit shqiptar dhe adminsitrohen nga shteti grek zënë një sipërfaqe
përfshirëse rreth 5000 kilometër katror.
- Cilat janë rrugët që përdori Greqia për spastrim etnik në Çamëri?
- Më 1913 fillon dhe politika e spastrimit etnik dhe kolonizimit, helenizimit të krahinës së çamërisë.Tri janë rrugët kryesore që u përdorën:rruga e parë është ajo e dëbimit me forcë, deportimit të elementit musliman. Krahina përbëhet nga shqiptarë të fesë muslimane dhe shqiptarët ortodoks. Ndryshe quhet zona e fushës, ku perandoria Osmane krijoji sistemin e Timarit, dmth të Çiflikut dhe pronarë u bënë ata që u konvertuan në fenë Islame, ndërsa zona e Malit, përfshin dhe krahinën e Sulit, që përbën elementin shqiptar ortodoks, që mbeti i pa nënshtruar dhe i pa konvertuar. Sipas regjistrimeve turke të vitit 1912,( jo shumë të sakta) në regjionin e Çamërisë ka pasë rreth 75 mijë banorë. Egzistonte aty një minoritet i vogël grek, vllah e rom, por kryesisht të ardhur që nga shekulli i XII, sipas të dhënave që jep historiani Pëllumb Xhufi.Rruga tjetër e platformës greke për spastrim etnik ishte ajo e kolonizimit të Çamërisë, me elementin grek të ardhur nga rajoni i Izmirit, mbas konferencës së Lozanës të vitit 1923.Filloi atëhere këmbimi i popullsisë, ku feja merrej si kombsi si nga grekërit ashtu edhe nga turqit.1 milion e 300 mijë grekë u riatdhesuan. Ata jetonin në rrethin e Izmirit. Greqia duke identifikuar besimin me kombësinë, deklaroi turq 90 mijë shqiptarë, ku 35 mijë ishin nga zona e Follorinës dhe Konicës(sipas të dhënave të Teki Selenicës).Pra për periudhën 1923-27, u përzunë 90 mijë shqiptarë, po ta llogarisim me tregues teorik të koeficentit të shtimit natyror të popullsisë, ku si rregull çdo 25 vjet, popullsia dyfishohet, rezulton që sot, vetëm nga kjo shpërngulje, sot në Turqi duhet të jenë më shumë se 700 mijë çam. Njihet fakt se familjet çame ashtu si edhe ato kosovare janë familje numeroze, kanë një shtim të lartë të popullsisë. Kjo besoj se spjegohet me nevojat për krah pune e mbijetesë përballë grekeve dhe serbeve.
Rruga e tretë që ka përdorur Megalo Idea për spastrimin e elementit çam ishte ajo e helenizimit të elementit ortodoks. Kjo u arrit përmes trysnisë që ushtrohej ndaj elementit shqiptar ortodoks, duke shfrytëzuar në maksimum edhe kishën greke. Gjithëse si në familjet e mbetura çame ka mbijetuar përmes vështirësive qënsia shqiptare, kryesisht përmes gjuhës së folur në familje. Unë kam pasur rastin që të shkoj në Greqi në një ekspeditë universitare,dhe kam parë se në familjet ortodokse, të moshuarit e kanë ruajtur gjuhën amtare. Duhet pranuar se gjenerata nën 40 vjeç e
ka humbur edhe këtë element.
-Duke e përmbledhur luftën e vazhdueshme ndër vite që ka bërë Megalo Idea për të realizuar spastrimin çam, do të thosha: Spastrimi ka ecur sipas tri drejtimeve që spjegova. Që nga 1913-a me Deli Janaqin, procesi i zbatimit të Reformës Agrare në vitet 1917-1918 e më pas në vitin 1936, që synoi shpronsimin e çamëve muslimanë duke ia dhënë elementit grek tokën.
Konferenca e Lozanës përbën një hap tjetër në dëm të shqiptarëve çam. Gjithësesi Qeveria shqiptare bëri protestë aso kohe në Lidhjen e Kombeve. Nga ana tjetër edhe intelektualët çam dhe ata shqiptarë në përgjithësi ngritën zërin për të krijuar një opinion mbrojtës në arenën ndërkombëtare. Veçohet ndër ta Mit’hat Frashëri, që u shqua në mbrojtjen e çamëve. Ai në atë kohë ishte ministër shteti në Athinë.Në saj të
këtyre përpjekjeve Lidhja e Kombeve arriti ta frenante përkohësisht fenomenin, por 90 mije shqiptarë u shpërngulën përdhunshëm nga vatrat e tyre. Shumë shqiptarë të Çamërisë, Kosturit dhe Follorinës për t’iu shkëptuar largimit të dhunshëm erdhën në
Shqipëri. Sipas të dhënave , vetëm në rrethin e Lushnjës nga kjo kohë janë shpërngulur 400 familje kosturlinjësh. Të ardhurit ishin shpërngulur nga Follorina, nga Konica, por edhe nga zona e Çamërisë. Pra kjo përbën valën e dytë të emigracionit pas 1913-ës, valë që përfshinë periudhën pas janarit të vitit 1923. Kjo valë u ndërpre aty nga viti 1926.
- Cila mbahet si pikë kulmore e spastrimit etnik të krahinës shqiptare të Çamërisë?
- Është vala e fundluftës së Dytë Botrore. Në fillim të luftës duke menduar se elementi shqiptar do të bashkëpunonte, shumë djem të rinj dhe burra të Çamërisë u internuan nga shteti grek. Kjo ndodhi më 1940 para agresionit të Italisë, që u ndërmor nga
tokat shqiptare. Dihet fakti se dy batalionet shqiptare, pjesmarrëse në atë luftë, dezertuan duke mos pranuar që të bëheshin pjesë e agresionit. Greqia ka nxjerr gjithmonë pretendime se elementi nacionalist çam ka bashkëpunuar me italianët, duke justifikuar masakren dhe spastrimin. Por ky është më shumë një pretekst se sa fakt dhe që nuk mund të përgjithësohet me ndonëj rast të rrallë. Platforma e Italisë për
Shqipërinë Etnike ka pasur efektin e vet si për nacionalistët në Çamëri ashtu edhe në Kosovë, por kjo nuk mund të shfajsojë genocidin grek mbi popullsinë e pafajshme çame.Edhe po t’i marrim në tërësi faktet, elementët bashkëpunues me italianët apo gjermanët në krahasim me elementin tjetër pjesmarrës me EAM-in apo formacionet e Ushtrisë Partizane Shqiptare, ishte në favor të këtyre të fundit. Pra Çamëri ishte në krahun e aleatëve kundër nazi-fashizmit. Madje kishte shumë formacione çame dhe formacione mikse, që ishin në krah të aleatëve.I tillë ishte Batalioni Çamëria që u
krijua në Markat, dhe që ka shumë të rënë në luftë. Edhe ky fakt e rrëzon teorinë greke të bashkëpunimit masiv të çamërisë me nazizmin dhe fashizmin.
-Ndërkohë që bandat e Zervës realizuan masakra të përgjakshme kunder çamëve. A mund të përmendni ndonjë të të tillë?
- Duke u mbështetur në marrëveshjet e fshehura, ishte bërë skenari dhe forcat nacionaliste të Napolon Zervas, përdorën një pretekst dhe realizuan masakra.
Faktikisht në 1943 gjermanët bënë një masakër të 49 krerëve të bashkisë së Paramithisë, në shenjë hakmarrjeje,(por ky qe preteksti pasi elementi bashkëpunues shqiptar ka qenë fare i vogël),një vit më pas, me 27 qershor 1944, në Kishën e Paramithisë,u ftuan 600 burra çam, gjasme se do të bëhej një tip Kuvendi, Plebishiti popullor, dhe në mënyrë të pabesë ata u egzekutuan. Paralelisht filloi fushata nëpër
shtëpitë e Paramithisë, burra, pleq, gra dhe fëmijë u masakruan.Një ndër shembujt e gjallë është dhe familja e Sali Bollatit, i cili jeton në Nju Jork.
E njëjta fushatë vazhdoi në Pargë, Margëlliç etj. Popullsia e Filatit dhe e rretheve të tjera të Igumenicës, duke parë që trysnia ishte nga jugu, lajmet që vinin ishin tepër të këqia, tragedia kishte marrë përmasa të jashtzakonshme; filluan që të lëviznin drejt
Shqipërisë.Kjo është vala e muajve qershor –korrik-gusht 1944. Në fillim të vitit 1945 pat sërish një mashtrim. U përhap lajmi se ka ndërhyrje nga Komuniteti ndërkombëtar që çamët mund të rikthehen në trojet e veta. Ata që u rikthyen ranë në kurth; një
masakër tjetër e përgjakshme u krye në Filat. Kjo I takon marsit të 1945. Kjo masakër e Filatit dhe mbyllja e kufijëve detyroi që 35 mijë shqiptarë çam, të pranuar nga shteti amë, nuk mundën të ktheheshin më në vatrat e tyre, ku kishin shtëpitë, tokat, bagëtitë,
të gjitha pasuritë, përfshi dhe varret. Më shumë se 2 mijë veta vdiqën rrugës drejt Shqipërisë, po t’u shtosh këtyre dhe 4 mijë të tjerë që qenë viktima të masakrave të Napolon Zervës, martirizimi i kësaj popullsie merr përmasa tragjike.
- Ku u vendosën familjet çame?
- Familjet e emigruar u sistemuan në Ultësirën Perëndimore: Vlorë, Fier, Lushnje, Kavajë, Durrës, Tiranë dhe një pakicë në Milot, Lezhë e Shkodër. Në Shkodër janë rrteh 200 familje me origjinë nga Çamëria, të integruara me elementin shkodran edhe përmes lidhjeve martesore.
- Ç’farë bëri qeveria shqiptare për ta denoncuar shpërnguljen e dhunshme ?
- Në fakt u krijua Komiteti Antifashist Çam, i cili e dënoi këtë genocid në Konferencën e Paqes në Paris, si dhe në Lidhjen e Kombeve më pas. Memorandumet e Komunitetit çam sensibilizuan , por nuk mundën të ndryshonin rrjedhën e ngjarjeve. Aq më shumë që Cardajsi, në Konferencën e Paqes së Parisit, kërkonte rivendikimin e kufijëve për Shqipërinë e Jugut.Janë të njohura debatet në këtë drejtim në Konferencën e paqes për Korçën e Gjirokastrën.
- Ku qëndron negativiteti i dhënies së shtetsisë shqiptare dhe heqjen e asaj greke nga qeveria komuniste shqiptare?
- Po, dihet ky fakt, që qeveria shqiptare u dha shtetsinë çamëve duke ua hequr me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor atë greke. Gjithësesi shumë nga ata janë ende gjallë dhe ruajnë dokumentin e shtetsisë greke. Sipas një regjistrimi të Shoqatës Patriotike Çamëria, numërohen sot rreth 250 mijë shqiptarë çam. Në bazë të dhënave të Kalendarit Gjeografik të Enciklopedisë italiane, për herë të parë që nga 1952, duke u mbështetur në të dhënat e Entit Statistikor Grek, jepet struktura etnike e Greqisë përmes këtyre shifrave: 90 për qind grekë,1, 7 maqedon, 1, 5 përqind shqiptar etnik, 1, 4 për qind turq, dhe 4,7 për qind pakica të tjera. Bazuar në numrin e popullsisë së
Greqisë prej 11 milion banorë, rezulton që shqiptarë etnik në Greqi rezulton se janë 165 mijë.
Po t’u shtosh këtyre dhe 250 mijë të tjerë, që është popullsia çame në Shqipëri, bëhen rreth 400 mijë. Përafërsisht edhe 700 mijë shqiptarë kanë emigruar pas 1990, përftohet shifra 1 milion e 100 mijë shqiptare!
- Çfarë prêt komuniteti çam nga camet që jetojnë në SHBA?
- Eshtë e vërtetë se një pjesë e çamëve jetojën edhe në SHBA. Në Cikago është vendosur një komunitet i konsiderueshëm çam. Atje dilte dikur edhe revista
“Krahu i Shqiponjës” i Bilal Xhaferrit. Po edhe në Boston, edhe në Detroit, Nju Jork, Kaliforni, Pensilvani, ka komunitet cam. Komuniteti çam prêt shumë nga çamët e Amerikës, që jo vetëm të organizohen e të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe me organizatat e tjera shqiptare, por edhe të trokasin në Shtëpinë e Bardhë për t’i gjetur zgjidhje sa më të shpejtë problemit çam.
- Çfarë përpjekjesh janë bërë dhe cilat janë rezultatet e deritanishme për ndërkombëtarizimin e çështjes çame?
- Pas vitit 1991, punët kanë ecur hap pas hapi.Edhe gazeta “Çamëria-Vatra Kombëtare”, që nisi më 1991, ka kontribuar dhe po kontribuon për sensibilizimin e
opinionit. Në këto 16 vjet përpjekje në rritje janë siguruar disa arritje. Kryesisht është sensibilizuar opinioni i brendshëm shqiptar (përfshirë këtu jo vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi), por janë arritur edhe disa suksese të rëndësishme për ta ndërkombëtarizuar atë. Është synuar jo vetëm aspekti politik i zgjidhjes së problemit, por edhe ai juridik.
- Konkretisht çfarë kërkohet në programin e Shoqatës Çameria?
- As më shumë e as më pak, shoqata kërkon:
- Së pari-Riatdhesimin e komunitetit çam në vatrat e shpërngulura dhunshëm. Në kuadrin e riatdhesimit dhe kthimit në vatrat e tyre, ata të jenë qytetarë të lirë në një shtet demokratik. Këtë synim e garantojnë konventat ndërkombëtare që ka firmosur edhe Greqia si vend anëtar i Bashkimit Europian, përfshi dhe Konventën e të Drejtave të Njeriut. Së dyti,sipas nenit 2 të Konventës, është e drejta e pronës. Pra kërkohet kthimi fizik i pronave, pa asnjë koncension.
- Së treti, kompensimi për shfrytëzimin. Këtu nuk hyn vetëm shfrytëzimi i tokës, por edhe shtëpive, dyqaneve, aktivitetet artizanale; ato të shërbimeve në qendrat urbane. Përgjithësisht, tërësia e pronave që janë shfrytëzuar për 62 vjet; domosdo duhen
kompensuar. Kjo është e drejtë ndërkombëtare për çdo popullsi të shpërngulur në mënyrë të dhunshme.
- A ka dokumente për pronat, shtëpitë, shërbimet, që kanë qenë në pronësi të çamëve të shpërngulur dhunshëm?
- Me sa kemi informacion, duke qenë se Greqia është një shtet i konsoliduar, i ka dokumentet e pronësisë të padëmtuara, por gjithçka do të varet nga gatishmëria e saj për ta kryer këtë proces të vështirë, por jo të pamundur. Ne kemi informacion se tokat e shqiptarëve të përzënë janë dhënë në përdorim dhe nuk janë shitur. Aq më shumë që shteti grek vazhdon dhe merr rentën mbi tokën që u është dhënë grekëve. Shteti ka marrë përqindjen e interesit, kështu që nuk është i vështirë procesi i kompensimit.
- Përveç riatdhesimit, ç’ptrobleme të tjera dalin?
- Përveç riatdhesimit, kthimit dhe kompensimit të pronave, problem tjetër del edhe garantimi i të gjitha të drejtave dhe lirive të njeriut, jo vetëm për të riatdhesuarit, por edhe për popullsinë shqiptare ortodokse që banon në Greqi.
Tjetër, ka dhe një problem shqetësues; qendrat kryesore urbane po rrënohen si: Filati, Igumenica, Parga, Margëllici, Paramithia, Preveza, Arta,Lipiadha etj. Vendbanimet apo objektet janë në rrënim e sipër. Po humbasin monumentet urbane, monumentet e kulturës që bënin prezent kulturën autentike çame apo atë të periudhës osmane. Arsyeja është sepse ka vepruar errozioni dhe këto objekte janë lënë jashte përkujdesit.Mua më ka qëlluar rasti që t’i vizitoj disa nga këto objekte dhe e kam parë me sy rrënimin e tyre.
Kështu psh Xhamia e Caparejve, është krejtësisht e dëmtuar, po ashtu shtëpitë e vjetra karkteristike janë rrënuar. Arsyeja e rrënimit është sepse kolonët grek që kanë zëvendësuar çamët e shpërngulur, i kanë ndërtuar vendbanimet diku të spostuara, jo në vendbanimet e braktisuara shqiptare. Pra i kanë lënë jasht vëmendjes së tyre. Nisur nga kjo gjendje Shoqëria Çamëria, ka bërë përpjekje që të marr veprime që të bëj trysninë e duhur edhe qeveria shqiptare, edhe në bashkëpunim me forcat politike, që të gjej zgjidhjen e këtij problemi. Këtë e ka parë kryesisht si problem kombëtar.
- Në aspektin ndërkombëtar cilat janë përpjekjet e shoqërisë Çamëria?
- Shoqëria Çamëria i ka rritur përpjekjet për ta ndërkombëtarizuar problemin.Ka marrë pjesë në disa takime ndërkombëtare siç është takimi i OSBE-së në Moskë, në Stamboll, në SHBA. Qëllimit i kanë shërbyer edhe takimet me kongresmenë e senatorë në SHBA; është pozitiv fakti që senatorja Hillari Clinton është prononcuar në favor të zgjidhjes së këtij problemi; përpjekjet për një lobing shqiptar në favor të kësaj
çështjeje do t’i jap rezultatet.
- Ju thoni se shoqëria shqiptare është e sensibilizuar ndaj çështjes çame, ku e shihni sensibilizimin?
- Kam mendimin se shoqëria shqiptare është e sensibilizuar. Dihet që një grup deputetësh ndërmorën firmosjen e rezolutës çame. Së dyti ka një Ditë përkujtimore, që kujton tragjedinë Çame. Së treti në programet dhe tekstet mësimore, çështja çame nuk është më “Mollë e ndaluar”, ajo ka pjesën e vet në to dhe nxënësit e shkollës 8-vjeçare dhe të mesme e studjojnë atë . Krahina e Çamërisë si pjesë e historisë së
Shqipërisë studiohet, duke mos i mbuluar faktet si në kohën e regjimit komunist. Së fundi, edhe vëllimi i tretë i Historisë së Shqipërisë, që pritet të dale nga shtypi këto ditë në Tiranë dhe që përfshin vitet 1912-1939, ku historia e Çamërisë trajtohet në një
kapitull të veçantë që zë një vëllim prej 40 faqesh. Në fushën e studimeve të historisë, kulturës, etnografisë, folklorit në tërësi,Kulturës popullore, gjeografisë, ka një fluks rreth problemit çam. Së fundi ka dalë edhe një enciklopedi nga Haredin Isufi.
Të gjitha këto studime kanë ndriçuar problemin çam. Bie në sy kontributi në rritje i studiuesve profesionistë, si Prof. Pëllumb Xhufi, Prof. Beqir Meta, të cilët kanë dhënë një kontribut me shumë vlera rreth problemit çam.
-Ju jeni një ndër studiuesit e njohur të problemi çam dhe shtypi ka shkruar gjatë rreth Monografisë që keni shkruar për Çamërinë.A mund ta informoni lexuesin rreth problematikës?
- Vitin e kaluar botova monografinë”Çamëria, vendi, popullsia dhe jeta ekonomike”.Jam munduar që në këtë libër ta bëj prezent çamërinë në katër modulet. Së pari ta prezantoj gjeografikisht, ku shtrihet Çamëria, cilat janë karakteristikat e saj mjedisore, karakteristikat e relievit, klimës, hidrografisë, florës, faunës, gjithënjë në këndvështrimin e resurseve natyrore. Çamëria është një krahinë e begatë, një oaz magjik. Pasi libri bën një prezantim historik të çështjes çame; e prezanton në aspektin
fizik mjedisor, duke evituar resurset, sidomos ato turistike, duke qenë se ajo është zonë bregdetare, zonë me një klimë tipike mesdhetare, ku kultivohen shumë vreshtat, agrumet; uillinjët etj.Së dyti libri merr përsipër të paraqes një historik të organizimit
administrative të krahinës. Në periudha të ndryshme historike ka qenë pjesë e principatave të ndryshme, ka krijuar vetë administratën e vet. Dihet psh se në antikitet Pirrua krijoi Mbretërinë e Epirit, e cila bazë kishte Kaonin, Molosin dhe Thespotinë. Në mesjetë ishte Principata e Arbërit me Gjin Bue Shpatën. Ky princ ishte nga Spatari, nga një fshat i Filatit, shqiptar.
Në perudha më të reja moderne, Çamëria ka qenë pjesë e Pashallëkut të Janinës, dhe në kuadër të Perandorisë Osmane ndër të katër Vilajetet(Shkodrës, Manastirit, Kosovës dhe Janinës) Çamëria ishte pjesë e Vilajetit të Janinës, të Sanxhakut të Janinës, dhe Prevezës.
- Një kapitull të veçantë të librit, më i rëndësishmi dhe më analitiku, është popullsia dhe vendbanimi.Ky kapitull emërtohet “Autoktonia shqiptare dhe identiteti regjional i Epirit”.Për këtë janë sjellë materiale nga autorë grek, Herodoti, Homeri, Turqiditi, Stefan Bizantini, Ptolemeu, Straboni etj. Më pas vijnë të dhëna nga Hani, Majeri etj.Kam shfrytëzuar shumë të dhëna nga konsujt që kanë qenë pranë Ali Pashë Tepelenës, 6 vëllimet e Pukvilit, Martin Liku, Bajroni, e shumë autorë të tjerë që sjellin dokumenta për autoktoninë shqiptare..Në këtë kapitull rrihen shumë probleme demografike, të autoktonisë, të strukturës etnike dhe fetare, probleme të lëvzjes migruese dhe spastruese. Një kapitull më vete përbën struktura ekonomike,që nga
antikiteti, në periudhën e Rilindjes, ku Çamëria ishte shumë e populluar, se fundi ekonomia sot. Aty merr përgjigje edhe pyetja: Cila është gjendja sot e Çamërisë?
Epiri sot ka mbi 370 fshatra, një pjesë e tyre janë të braktisur.
- Fiton apo humbet Greqia nga riatdhesimi i çamëve?
- Nëse komuniteti çam do të riatdhesohet edhe vetë Greqia do të ishte shumë e përfituar sepse ajo ndjen mangësinë e krahut të punës. Zona më e braktisur e Greqisë, është pikërisht kjo krahinë. Nëse do të realizohej riatdhesimi do të krijonte edhe Eurorajonin e Çamërisë. Unë kam hedhur idenë e Eurorajonit. Sot në periudhën e Globalizmit, eurorajonet janë të domosdoshme. Kështu psh kemi eurrajone të tilla si Austria me Hungarinë, me Slloveninë, Kroacinë etj. Po kështu bashkëpunimi i marrdhënieve normale, liberalizimi i vizave etj do të krijonte një klimë të favorshme miqësie. I tillë është psh Eurorajoni i Liqenit të Shkodrës mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku përfitimet janë të dyanshme.Ose Eurorajoni i Prespës me qendër Korçën, që përfshin edhe Manastirin e Follorinën. Pra ka modele që mund të funksionojnë, mjafton vullneti i mirë.
- Në Shqipëri vepron edhe një Parti që ka marrë përsipër çështjen çame, diçka për aktivitetin e saj.
- Po, në vitin e kaluar, në prill 2005, Shoqëria Çame, arriti pjekurinë që të organizohet edhe në një parti politike. Natyrisht jo parti politike krahinore, por si të gjitha subjektet e tjera politike në Shqipëri. Ajo është Partia Drejtësi për Integrim. Edhe pse shumë e re ajo mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar dhe kaloi një test të kënaqshëm. Gjatë një viti e gjysëm aktivitet kjo parti dhe kryetari i saj Tahir Muhedini, kanë bërë një punë të madhe dhe është hedhur një hap cilsor në jetën e komunitetit çam. Konkretisht ka hop cilësor në ndërkombëtarizimin e çështjes çame.Janë bërë shumë takime me parti, individë, subjekte të ndryshme, në Shqipëri dhe jasht vendit.
- Kohët e fundit, në tetor dhe nëntor 2006 përfaqësues të saj kanë marrë pjesë në Parlamentin Europian. Kjo parti, për herë të parë prezantoi gjatë vitit që shkoi çështjen çame në Strasburg dhe Bruksel. Tashmë është dorëzuar dosja, është bërë një takim me eurodeputeten Doris Pack etj. Ka një premtim për t’u marrë me këtë çështje. Është dhënë fjala për ta diskutuar problemin edhe me europarlamentarët grekë, me qëllim që të ndërmjetësohet fillimisht që shqipatrët çam, të vizitojnë krahinën e tyre, të shkojnë dhe të vendosin një tufë lule pranë varreve të njerëzve të tyre të dashur. Një rol të rëndësishëm si ndërmjetës ka luajtur partia Radikale Transnacionale Italiane e Massimo Panelës, Ema Bonninos.
top ^
|