Fjalimi i Kryetarit të PDI-së në Qafë- Botë

Të nderuar pjesëmarrës,

Të nderuar përfaqësues të mediave Shqiptare dhe të huaja.

Te nderuar pjesemarrës në këtë aktivitet kuturor dhe politik,

Në emër të Partisë për Drejtësi dhe Integrim (PDI) do të doja t`Ju falenderoja fillimisht për praninë Tuaj këtu, që së bashku me ne, po përkujtojmë viktimat e pafajshme Çame të genocidit shovenist Grek karshi një popullsie të pafajshme Çame.

Do t`Ju thoja gjithashtu se PDI-ja si bashkëkoordinatore e këtij marshimi dhe e inagurimit të këtij memoriali në varrezat masive të çamëve këtu në Kllogjer i është kushtuar vetëm dimensionit integrues europian të tij.

Pa dyshim, që ne këtu jemi për të përkujtuar genocidin Grek kundër Çamëve të pafajshëm, por sot nuk kemi të bëjmë me të njëjtën Qeveri Greke, apo institucion që përfaqëson ato kohë, por me një shtet me detyrime dhe të drejta të plota si vend anëtar i BE-së, ku synon të jetë pjesë integrale edhe Shqipëria.

PDI-ja në ndryshim nga institucionet e tjera beson se të drejtat e popullsisë Çame nuk mund të zgjidhen vetëm midis Shqipërisë dhe Greqisë, apo institucioneve që përfaqësojnë popullsinë Çame me shtetin Grek, por ato mund të zgjidhen vetëm me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pra me ndërmjetësi Ndërkombëtare.

Me këtë strategji dhe motivacion për herë të parë në historinë politike Shqiptare një delegacion i një Partie politike Shqiptare arriti të shpreh shqetësimin 60-vjeçar të popullsisë Çame në Parlamentin Europian.

Për herë të parë përfaqësues të Parlamentit Europian dëgjuan drejtpërdrejtë zërin dhe kërkesat e popullsisë Çame nëpërmjet një Partie Politike, e cila ka në betejat e saj kryesore zgjidhjen demokratike të këtij impasi historik të Çamërisë.

Kur u takuma me Znj. Doris Pack në Strasbourg Tetorin e kaluar ndërmjet të tjerash ajo na premtoi se do të influenconte në mundësimin e vajtjes së popullsisë Çame në Atdhe dhe sigurisht në nderimin e varreve të të parëve të tyre, por megjithëse deri më sot nuk është arritur kjo, mundësitë janë që të realizohet.

Ashtu si qeveria Greke ka menduar për të rënët e saj të luftës Italo - Greke (28 Tetor 1940 deri në 6 Prill 1941) të zhvilluara në territoret e Shqipërisë, edhe ne Shqiptarët në fakt, të njëjtën gjë dëshirojmë që edhe popullsia Çame, pra të ketë mundësinë të vendosë kurora lulesh në varret e të parëve të tyre të cilët ishin viktima të shovenizmit Grek të atëhershëm, siç po e bëjmë këtu ne Kllogjer ta bëjmë edhe në Çamëri në trojet dhe tokat tona…

Ne besojmë se vetëm kështu mund të arrihet një zgjidhje demokratike dhe e drejtë e respektimit adekuat të të drejtave themelore të popullisë Çame, popullsi e cila duhet të trajtohet me standartet ndërkombëtare të pakicave etnike.

Pra, që edhe popullisë Çame ti jepet e drejta e zgjidhjes së lirë dhe demokratike të dyshtetësisë dhe të pronësisë, të cilat janë të drejta të patjetërsueshme. Nëse kjo ndodh edhe ne, si shumë shtetas Grek dhe Europian, do të kemi mundësi të kujtojmë me buqeta lulesh të parët tanë atje ku prehen aktualisht.

Nëse të gjitha palët e interesuara do të shikonin me këtë dritë vështrimi Integrues Europian, atëherë të rënët e të gjithëve do të preheshin të qetë në varret e tyre dhe do të kishim më shumë stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan.

 

Ndërkohë edhe Fortlumturia e Tij Anastasious Janulatous që sigurisht jo me cilësinë e Kreut të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare drejtoi meshën në Kishën e Këlcyrës për ushtarët Grek të rënë në Lufën e Dytë Botërore, duhet dhe është e domosdoshme të reflektojë pozitivisht ndaj kërkesave dhe të drejtave të popullsisë Shqiptare Çame dhe të kontribuojë për zgjidhjen demokratike të tyre, por sigurisht edhe te marrë pjesë personalisht në lutjet ndërfetare që do të organizohen në Hotel Tirana Internation më datë 26  Qershor, në orën 10 : 00, ku do të marrin pjesë edhe tre krerët e komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri, përkatësisht të Komunitetit Musliman, Komunitetit Bektashian dhe të Kishës Katolike.

Unë Ju falenderoj të gjithëve nga zemra për pjesëmarrjen Tuaj,

                                                                                                                   Tahir Muhedini
Kryetari i PDI-së

24 Qershor 2007

 

Gazeta të ndryshme kanë shkruajtur :

 

 

top ^