Fjalimi i Kryetarit të PDI-së në Qafë- Botë


Të nderuar pjesëmarrës në këtë aktivitet tradicional politik,

Në emër të Partisë për Drejtësi dhe Integrim (PDI) do të doja t`Ju falenderoja fillimisht për pjesëmarrjen Tuaj këtu, që së bashku me ne, po përkujtojmë viktimat e pafajshme Çame të genocidit shovenist Grek karshi një popullsie paqedashëse.

Do t`Ju thoja gjithashtu se PDI-ja si bashkëkoordinatore e këtij marshimi dhe e shumë aktiviteteve të ndryshme në nderim të çështjes Çame dhe sensibilizimit të saj për zgjidhje demokratike i është kushtuar vetëm dimensionit integrues europian të tij dhe standarteve ndërkombëtare të të drejtave themelore të njeriut.

Pa dyshim, që ne këtu jemi për të përkujtuar genocidin Grek kundër Çamëve të pafajshëm, por gjithmonë zgjidhjen e kësaj çështje të drejtë do ta kërkojmë në dimensionin laik, në respekt të së Drejtës Ndërkombëtare dhe dialogut me një Shtet me detyrime dhe të drejta të plota si vend anëtar i BE-së ku pretendon të jetë edhe Shqipëria.

Midis nesh ka edhe persona të paktë që e gjykojnë rastin e Çamëve mbi baza fetare, por ne si PDI së bashku me Shoqërinë “Çamëria” ishim ata që ideuam dhe realizuam Lutjet Ndërfetare në Tiranë duke përcjellë mesazhin se bashkëjetesa fetare Shqiptare mund të bëhet një shembull për bashkëjetesën Greko-Shqiptare dhe në veçanti atë Greko - Çame dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë të bindur se do të na mbështesë shumica e Komunitetit tonë të nderuar dhe padyshim komuniteti ndërkombëtar.

Ne e dimë se një nga arsyet që Çamët janë ndëshkuar ka qenë përkatësia e tyre fetare, por ne jemi po ashtu të bindur se kjo ka ndodhur sepse në atë botë, në mënyrë abuzive të gjithë Ortodoksët quheshin grekë dhe të gjithë Muslimanët Turq. Por, Çamët kanë qenë dhe do të mbeten Shqiptarë të pastër dhe patriot ndaj Ne kemi zgjedhur Shqiptarinë si mjetin më të fuqishëm të zgjidhjes së kësaj çështje.

Po kështu ne duam të rithemi fuqimisht se PDI-ja në ndryshim nga institucionet e tjera beson se të drejtat e popullsisë Çame nuk mund të zgjidhen vetëm midis Shqipërisë dhe Greqisë, apo institucioneve që përfaqësojnë popullsinë Çame me Shtetin Grek, por ato mund të zgjidhen vetëm me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pra me ndërmjetësi Ndërkombëtare.

Me këtë strategji dhe motivacion për herë të parë në historinë politike Shqiptare një delegacion i një Partie politike Shqiptare arriti të shpreh shqetësimin 60-vjeçar të popullsisë Çame në Parlamentin Europian.

Për herë të parë përfaqësues të Parlamentit Europian dëgjuan drejtpërdrejtë zërin dhe kërkesat e popullsisë Çame nëpërmjet një Partie Politike, e cila ka në betejat e saj kryesore zgjidhjen demokratike të këtij impasi historik të Çamërisë.

Ne vijme deri këtu çdo vit dhe do ta bëjmë vazhdimisht për ti thënë të gjithëve se dëshirojmë që edhe popullsia Çame të ketë mundësinë të vendosë kurora lulesh në varret e të parëve të tyre të cilët ishin viktima të shovenizmit Grek të atëhershëm, siç po e bëjmë në Kllogjer duam ta bëjmë edhe në Çamëri në trojet dhe tokat tona.

Ne besojmë që me largpamësi integruese pakica Greke në Shqipëri dhe pakica Çame në Greqi mund të jenë urat lidhëse të një miqësie reciproke midis dy vendeve tona. Pra, që edhe popullisë Çame ti jepet e drejta e zgjidhjes së lirë dhe demokratike të dyshtetësisë dhe të pronësisë, të cilat janë të drejta të patjetërsueshme.

Nëse kjo ndodh edhe ne, si shumë shtetas Grek dhe Europian, do të kemi mundësi të kujtojmë me buqeta lulesh të parët tanë atje ku prehen aktualisht, të shohim dhe gëzojmë trojet tona në Çamëri si pakica Greke këtu në Shqipëri.

Nëse të gjitha palët e interesuara do të shikonin me këtë dritë vështrimi Integrues Europian, atëherë të rënët e të gjithëve do të preheshin të qetë në varret e tyre dhe do të kishim më shumë stabilitet dhe qëndrueshmëri në Ballkan dhe më shumë prosperitet të cilin e meriton edhe Çamëria e lënë pas dore.

Ne mund ta lulëzojmë Çamërinë ashtu si është Greqia dhe mund të bashkëjetojmë me Shqiptarët Ortodoksë ashtu si me Grekët dhe të gjithë Europianët.

 

Unë Ju falenderoj të gjithëve nga zemra për pjesëmarrjen Tuaj,

                                                                                                                  
Tahir Muhedini
Kryetari i PDI-së

 

27 Qershor 2008

Gazeta të ndryshme kanë shkruajtur :

 

 

 

top ^